Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, shprehu shqetësimin e tij në Edicionin Special, duke akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për keqpërdorim të pozitës zyrtare përmes emërimeve të reja në Qeverinë e përkohshme. Miftaraj kërkoi që institucionet kompetente të ndërmarrin veprime në këtë drejtim.
Ai e quajti të pakuptimtë emërimin e zëvendësministrave të rinj në një qeveri me mandat të kufizuar. Miftaraj theksoi se çdo kabinet i ri qeveritar do të jetë i detyruar të bëjë emërime të reja.
“Është e pakuptimtë të emërohen ministra apo zëvendësministra të rinj kur dihet se me formimin e qeverisë së re do të ketë një kabinet të ri dhe do të lëshohen dekrete të reja. Këto emërime mund të vlejnë vetëm disa javë,” shprehu ai.
Sipas Miftarajt, një qeveri në detyrë nuk ka mandat të plotë për të qeverisur, por vetëm për të administruar vendin. Ai argumentoi se emërimet e tilla bien ndesh me parimet e sundimit të ligjit dhe të qeverisjes së mirë.
Ai shtoi se këto veprime po realizohen për t’i sistemuar politikisht individë të caktuar, duke neglizhuar interesat e qytetarëve.
Be the first to comment