Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Kosova dorëzon raportin për zbatimin e reformave nga Plani i Rritjes

Kosova dorëzon raportin për zbatimin e reformave nga Plani i Rritjes

Kosova ka dorëzuar në kohë raportin mbi zbatimin e reformave në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian, duke shmangur kështu humbjen e afatit për aplikimin për fondet e radhës nga mekanizmi financiar i BE-së.

Komisioni Evropian ka konfirmuar se Kosova e dorëzoi raportin më 15 korrik, datën e fundit të afatit, duke u bërë kështu partneri i fundit nga Ballkani Perëndimor që përmbushi këtë obligim.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian njoftoi për Radion Evropa e Lirë se të gjithë pesë partnerët e rajonit i kanë dorëzuar me sukses kërkesat e tyre për pagesë, duke përfshirë edhe Kosovën, që raportoi për herë të parë.

<

Nga ana tjetër, Bosnje e Hercegovina mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk ka arritur të dorëzojë raportin. Komisioni Evropian tha se kjo ndodh për shkak të mungesës së miratimit të Agjendës së Reformave nga autoritetet në Sarajevë, çka pengon nënshkrimin e marrëveshjeve të financimit dhe huave.

Pas pranimit të raporteve, Komisioni Evropian do të fillojë vlerësimin e zbatimit të reformave nga secili vend. Në përputhje me rezultatet e arritura, do të vendoset për disbursimin e fondeve. Zëdhënësi Guillaume Mercier theksoi se komisioni do të vlerësojë zbatimin e hapave reformues para se të vendosë për ndarjen e fondeve.

Afati për periudhën e katërt të raportimit mbi zbatimin e reformave skadoi më 30 qershor. Megjithatë, Komisioni Evropian kishte lejuar një periudhë shtesë deri më 15 korrik për dorëzimin e raporteve.

Në këtë kuadër, përfundoi gjithashtu periudha e ashtuquajtur “grejs”, e cila ishte miratuar për hapat reformues që fillimisht parashikohej të përfundonin në vitin 2025. Periudhat e tolerancës për reformat e tjera me afate deri në fund të viteve 2024 dhe 2025 do të mbyllen më vonë gjatë këtij viti.

Sa i përket përfitimeve financiare, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë marrë deri tani tri pagesa të rregullta nga Plani i Rritjes, ndërsa Serbia ka përfituar vetëm një pagesë. Kosova dhe Bosnje e Hercegovina nuk kanë marrë ende asnjë pagesë të rregullt, me Kosovën që ka përfituar vetëm parafinancimin prej mbi 61 milionë eurosh, që përfaqëson shtatë për qind të gjithanshëm prej 882.6 milionë eurosh të ndara për vendin.

Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor ka një buxhet prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024–2027, nga të cilat 2 miliardë euro janë grante dhe 4 miliardë euro kredi me kushte të favorshme.

Fondet ndahen sipas numrit të banorëve dhe prodhimit të brendshëm bruto për kokë banori. Duke iu referuar këtyre kritereve, Serbia ka marrë 1.58 miliard euro, Bosnje e Hercegovina 976.6 milionë euro, Shqipëria 922.1 milionë euro, Kosova 882.6 milionë euro, Maqedonia e Veriut 750.4 milionë euro dhe Mali i Zi 383.5 milionë euro.

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, kishte paralajmëruar më herët se vendet e Ballkanit Perëndimor rrezikojnë të humbin rreth 700 milionë euro nëse nuk zbatojnë reformat brenda afateve të përcaktuara. Sipas rregullave të Planit të Rritjes, fondet që nuk shfrytëzohen për shkak të mosrealizimit të reformave kthehen në buxhetin e Bashkimit Evropian.

Click to comment
  • Be the first to comment

Mund të ju pëlqejn

Advertisement