Agjencitë e Kombeve të Bashkuara raportojnë se mbi 500 persona dyshohet se kanë vdekur si rezultat i përmbytjes së dy anijeve të refugjatëve pranë brigjeve të Mianmarit.
Anijet, të nisura nga shteti Rakhine i Mianmarit në fund të qershorit, transportonin kryesisht anëtarë të komunitetit Rohingya, përfshirë individë që ishin larguar nga kampet e refugjatëve në Bangladesh. Sipas Reuters, ata po përpiqeshin të arrinin vende si Malajzia, Indonezia ose Tajlanda për shkak të dhunës dhe kushteve të vështira të jetesës.
Njëra nga anijet, që kishte rreth 250 persona, humbi kontaktin menjëherë pas nisjes. Ndërsa, tjetra, që transportonte rreth 280 persona, besohet se u fundos më 8 korrik pranë brigjeve të lumit Irrawaddy në Mianmar.
Këto udhëtime detare janë konsideruar ndër më të rrezikshmet në botë për refugjatët. Komuniteti Rohingya prej vitesh përballet me përndjekje në Mianmar, duke mos u njohur si shtetas të vendit. Situata e tyre është përkeqësuar ndjeshëm pas grushtit ushtarak të vitit 2021, i cili çoi në një luftë civile dhe la shumë prej tyre mes përleshjeve të ushtrisë me grupet rebele.
Sipas UNHCR dhe IOM, rreth 300 njerëz janë raportuar të zhdukur ose të vdekur në Detin Andaman dhe Gjirin e Bengalit gjatë këtij viti, përfshirë refugjatë Rohingya dhe shtetas nga Bangladeshi.
Në nëntor, një varkë që transportonte anëtarë të komunitetit Rohingya u mbyt në Langkawi, pranë kufirit Tajlandë-Malajzi, ku vetëm rreth një duzinë arritën të mbijetonin.
Be the first to comment