Janë zbuluar detaje të reja në lidhje me vrasjen e Eglant Koçit, ku autori, Armand Shakaj, u fsheh për dhjetë ditë pas krimit në qarkun e Elbasanit. Sipas burimeve nga hetimi, pas eliminimit të mikut të tij, Shakaj është strehuar në këtë rajon.
Për të shmangur identifikimin, ai ka ndryshuar pamjen e tij dhe është fshehur në rrethinat e Elbasanit, duke qëndruar në hotele dhe apartamente me qira ditore. Në rast se i është kërkuar identifikimi, Shakaj ka paraqitur dokumente të falsifikuara.
Gjatë kësaj periudhe, ai ka lëvizur vetëm me taksi, duke shmangur përdorimin e mjeteve personale. Dyshohet se ai është fshehur gjithashtu në zonat e Peqinit dhe Cërrikut, duke përdorur të njëjtat metodologji.
Veprimet e Shakajt janë vërtetuar nga hetimet e grupit të specializuar. Hetuesit kanë identifikuar sinjalin e telefonit të tij celular në qarkun e Elbasanit, duke organizuar operacione për kapjen e tij. Megjithatë, ai ka arritur sërish të humbasë gjurmët, duke u larguar nga kjo zonë.
Sot, Shakaj vazhdon të jetë në arrati, ndërsa policia ka dyshime se ai ndihmohet nga persona të njohur, me të cilët mban kontakte. Më 4 qershor, ai vrau mikun e tij, Eglant Koçi, dhe më pas zhduku kufomën, duke e hedhur në majën e Korrës, në fshatin Cerrujë. Trupi i Koçit u gjet pas dy javësh nga policia.
Be the first to comment