Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka uruar nënën e saj në ditëlindje. Ajo e ka falënderuar atë për rritjen e saj me çiltërsi dhe zemër të bardhë, duke e mësuar si të duan të mirën.

Çitaku ka theksuar se nëna e saj ka lënë gjurmë të thella në jetën e brezave të tërë. Jo vetëm si mësimdhënëse, por gjithashtu si një shembull i një gruaje që ka jetuar me ndershmëri, përkushtim dhe fisnikëri.

“Urime ditëlindja, nanë. Faleminderit që na rrite me çiltërsi dhe na mësove të duam të mirën dhe suksesin, jo vetëm tonin, por edhe të tjerëve. Faleminderit që, për dekada me radhë, frymëzove mijëra vajza anembanë Kosovës me dashurinë për shkollën, dijen dhe dinjitetin”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka përmendur se nëna e saj i ka mësuar vlerat e respektit dhe rëndësinë e diturisë. “Ti na mësove se respekti fitohet me punë dhe se dija është pasuri e pakapshme. Një rilindëse nga Drenica, me zemër të madhe e shpirt të pastër. Të paçim gjithmonë me shëndet, buzëqeshje dhe dashuri. Gëzuar ditëlindjen”, përfundon Çitaku.