Njohësi i Kushtetutës, Dritan Kabashi, në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, komentoi zhvillimet e fundit politike dhe takimet e liderëve të partive për formimin e institucioneve të reja në vend.
Kabashi theksoi se takime të tilla janë të natyrshme dhe se qytetarët kanë pritshmëri legjitime për funksionalizimin e institucioneve. Ai shprehu besimin se është koha për një epilog pozitiv pas një periudhe të gjatë pasigurie politike.
“Ne si qytetarë kemi një pritshmëri legjitime dhe reale për funksionalizimin e institucioneve,” tha ai. “Që një vit e gjysmë po përballohemi me zgjedhje parlamentare për shkak të mosmarrëveshjeve brenda skenës politike.”
Kabashi shtoi se partitë politike duhet të bashkëpunojnë dhe të arrijnë një ujdi për të fuqizuar shtetin. Ai theksoi se ky është një hap i nevojshëm dhe se ka rëndësi që të ketë marrëveshje mes partive.
“Padyshim që është hap i mbarë dhe madje një hap natyror. Jemi një vend i vogël dhe duhet të arrijmë një ujdi për të fuqizuar shtetin,” u shpreh ai.
Arsyeja e këtij bashkëpunimi, sipas Kabashit, është e domosdoshme për të pasur një progres në politikën e vendit. Ai gjithashtu sqaroi procedurat për formimin e institucioneve sipas Kushtetutës së Kosovës.
“Kushtetuta e Kosovës parashikon një afat 30 ditor. Kryetari i legjislaturës së fundit duhet t’i thërrasë partitë që kanë fituar mandate dhe të caktojë seancën brenda 5 ditëve nga momenti i dakordimit,” përfundoi Kabashi.
Be the first to comment