Trajneri legjendar francez, Arsène Wenger, ka analizuar Kupën e Botës 2026 dhe ka identifikuar vetëm një skuadër që ai beson se mund ta ndalë Francën në rrugën drejt titullit. Sipas Wenger, Spanja është ekipi që ka cilësinë për ta bërë këtë.
Ekipi i Didier Deschamps arriti në çerekfinale në mënyrë mbresëlënëse. Pavarësisht se u rendit në një grup të vështirë përballë Norvegjisë, Senegalit dhe Irakut, francezët arritën të fitojnë të tri ndeshjet, duke shënuar dhjetë gola.
Franca vazhdoi me formën e saj të fortë në fazat eliminuese, duke nisur me një fitore bindëse 3-0 ndaj Suedisë në raundin e 1/16-ve. Në vazhdim, ata arritën një fitore të ngushtë 1-0 ndaj Paraguait në një ndeshje të tensionuar në stadiumin e Filadelfias.
Tani, ekipi francez është vetëm tri fitore larg titullit të tretë të Kupës së Botës. Sfida e ardhshme do të jetë një çerekfinale e vështirë kundër Marokut, kampionëve aktualë të Afrikës.
Në një intervistë për Sky Sports, Wenger shprehu besimin e tij se Franca do ta fitojë Kupën e Botës. “E di se do të thuash: ‘Sigurisht që e thua këtë kur je francez’,” tha ai. Më tej, ai theksoi se analize e kampionatit tregon se Franca po ecën si një tren me shpejtësi dhe se duhet të jesh i gatshëm të hipësh mbi të.
Ai e identifikoi Spanjën si kërcënimin më të madh për ekipin e Deschamps. “Për mua, pyetja e vërtetë është Spanja. Nëse ndonjë ekip mund ta mposhtë Francën tani, do të thoja se është Spanja, sepse teknikisht ata janë në një nivel më të lartë,” tha Wenger.
“Spanja zotëron një cilësi dhe kulturë të lojës kolektive që askush tjetër në botë nuk e ka në këtë nivel. Kjo mund të vendosë ndeshjen midis këtyre dy ekipeve, por Franca është, sigurisht, fizikisht më e fortë,” përfundoi ai.
Be the first to comment