Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për të pandehurin me inicialet E.H. Ai dyshohet për veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “lëndim i lehtë trupor”, në lidhje me një incident me thikë që ndodhi në Rahovec.
Vendimi është miratuar pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë. Gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, ka theksuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 5 korrik, rreth orës 22:30, pranë lokaleve “C.B.” dhe “N.Q.B.” në Rahovec. Sipas Prokurorisë, incidenti ka shpërthyer pas një mosmarrëveshjeje të çastit. I dyshuari E.H. dyshohet se ka sulmuar me thikë viktimën F.M., duke i shkaktuar plagë në pjesë vitale të trupit.
F.M. ka marrë trajtim të parë në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë dhe më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejshëm.
Sipas Prokurorisë, gjatë të njëjtit incident, E.H. dyshohet se ka lënduar edhe një person tjetër, E.H., duke e goditur me thikë në këmbën e djathtë. Personi i lënduar ka marrë trajtim në Spitalin Rajonal “Isa Grezda”.
Be the first to comment