Pas protestës së punëtorëve, Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” ka reaguar lidhur me çështjen e pagave të tyre.
Në një komunikatë, kjo ndërmarrje sqaroi se mungesa e pagave për punëtorët ka qenë rezultat i një pezullimi të aktivitetit pas vendimit të Gjykatës Supreme për shfuqizimin e pjesshëm të Rregullores mbi organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve. N.P.L. “Prishtina Parking” kishte nisur operimin e saj të rregullt nga data 10 shtator 2025, duke vazhduar të ofrojë shërbime për qytetarët.
Pezullimi i aktivitetit ka ndikuar drejtpërdrejt në gjendjen financiare të ndërmarrjes, duke shkaktuar vështirësi në realizimin e të hyrave dhe krijimin e obligimeve financiare.
“Për shkak të kësaj situate, ka pasur vonesë në ekzekutimin e pagave të punëtorëve. Megjithatë, ju njoftojmë se pagat do të ekzekutohen pjesërisht gjatë ditës së sotme, ndërsa pjesa e mbetur do të ekzekutohet në ditët në vijim,” thuhet në komunikatë.
Punëtorët e ‘Prishtina Parking’ paralajmërojnë vazhdimin e protestave nëse pagat e tyre nuk dalin në rregull.
Be the first to comment