Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se gjatë javës së ardhshme vendi do të jetë nën ndikimin e masave ajrore relativisht të qëndrueshme. Kjo do të sjellë mot kryesisht me diell, ndërsa do të ketë vranësira të herëpashershme.
Sipas parashikimeve, temperaturat pritet të jenë në nivele tipike për muajin korrik, me mëngjese të freskëta dhe ditë të ngrohta. Riga lokale shiu parashikohen të hënën dhe të martën, kryesisht në zona të izoluara, ndërsa pjesa tjetër e javës pritet të jetë me mot të favorshëm.
Të hënën, moti do të jetë kryesisht me diell dhe vranësira të pakta, përkatësisht disa riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 10 në 13 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 26 deri në 30 gradë. Era do të fryjë lehtë deri mesatarisht nga veriperëndimi, me shpejtësi prej 1 deri 5 metrash në sekondë.
Të martën, meteorologët parashikojnë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Gjatë ditës, veçanërisht pasdite, vranësirat mund të sjellin riga të izoluara shiu. Temperaturat minimale do të jenë nga 10 deri në 14 gradë, ndërsa maksimale do të arrijnë nga 25 në 28 gradë Celsius. Era do të fryjë nga veriperëndimi dhe perëndimi me shpejtësi prej 1 deri 6 metrash në sekondë.
Nga e mërkura deri të premten, moti do të mbetet kryesisht i qëndrueshëm. Të mërkurën, pritet të ketë mot pjesërisht të vranët me temperatura maksimale deri në 29 gradë Celsius. Ndërkaq, të enjten dhe të premten do të mbizotërojë moti me diell, me vranësira kalimtare, duke regjistruar temperatura maksimale prej 24 deri në 29 gradë.
Në qytetet kryesore, temperaturat më të larta të hënën priten në Prizren, Gjakovë, Istog dhe Junik, ku termometri mund të arrijë deri në 30 gradë Celsius. Në Prishtinë, maksimali pritet të jetë 28 gradë, ndërsa në Dragash do të regjistrohen 26 gradë Celsius.
Sa i përket kushteve agrometeorologjike, IHMK vlerëson se ato do të jenë përgjithësisht të favorshme për zhvillimin e kulturave bujqësore. Megjithatë, reshjet e lehta lokale nuk pritet të jenë të mjaftueshme për të përmbushur nevojat ujore të bimëve, prandaj rekomandohet vazhdimi i ujitjes, veçanërisht për kulturat perimore dhe në tokat me kapacitet më të ulët për mbajtjen e lagështisë.
Instituti gjithashtu thekson se kushtet e motit do të jenë të përshtatshme për zhvillimin e korrje-shirjeve të grurit, me ndërprerje të mundshme vetëm në disa zona për shkak të riga të shkurtra shiu.
Kushtet biometeorologjike parashikohen të jenë të favorshme për shumicën e qytetarëve, falë temperaturave të këndshme gjatë mëngjesit dhe mbrëmjes, si dhe mungesës së vapës ekstreme.
Be the first to comment