Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri ka njoftuar se sot janë menaxhuar operacionet për përballimin e 16 vatrave të zjarrit në disa qarqe të vendit.
Sipas njoftimit të ministrisë, pesë vatrat e zjarrit që janë ende aktive janë vënë nën kontroll, ndërsa po punohet për shuarjen e tyre finale.
Njoftimi i publikuar në rrjetin social Facebook thekson se në operacionet në zona si Kavaja, Fieri, Lezha, Elbasani dhe Divjaka janë angazhuar qindra forca zjarrfikëse, mjete tokësore dhe ajrore, si dhe përfaqësues të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera emergjente.
Në operacionet e zhvilluara në Hajdaraj/Synej (Kavajë), Drizë–Peshtan (Fier), Tale (Lezhë), Ulën (Elbasan) dhe Divjakë, janë angazhuar 261 forca operacionale, 40 automjete zjarrfikëse, 2 helikopterë dhe 30 efektivë nga Forcat e Armatosura, së bashku me forca të Policisë së Shtetit, FNSH-së, Shërbimit Pyjor dhe strukturave të emergjencave civile.
Be the first to comment