Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Cakolli: Java e tretë e korrikut, afati optimal për thirrjen e seancës konstituive

Cakolli: Java e tretë e korrikut, afati optimal për thirrjen e seancës konstituive

Eugen Cakolli, përfaqësues i Demokracisë në Veprim, ka vlerësuar se java e tretë e korrikut do të jetë afati optimal për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, pas përfundimit të procedurave ankimore dhe certifikimit të rezultateve zgjedhore.

Sipas tij, procesi i numërimit të votave ka qenë i rregullt dhe nuk është evidentuar asnjë parregullsi që do të dëmtonte integritetin e rezultateve zgjedhore. Në një intervistë për Ekonomia Online, Cakolli ka theksuar se Demokracia në Veprim ka angazhuar rreth 100 vëzhgues në të gjitha 38 qendrat komunale të numërimit, të cilët e kanë monitoruar këtë proces nga afër.

Ai përmendi se vëzhguesit kanë qenë të pranishëm në çdo qendër komunale, duke siguruar që procesi dhe rregullsia e numërimit të votave të jenë të vlefshme. Të dhënat nga terreni tregojnë se, përpos disa gabimeve të vogla, nuk ka pasur asnjë parregullsi që do të vënë në dyshim rezultatet. Cakolli beson se këto rezultate përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e 7 qershorit.

<

Duke folur për ankesat zgjedhore, ai theksoi se kandidatët kanë të drejtë ligjore të shfrytëzojnë të gjitha mjetet juridike, megjithatë, theksoi se praktika e deritanishme ka vendosur standarde të qarta për trajtimin e këtyre ankesave. Cakolli u shpreh se vendimet e PZAP-së dhe të Gjykatës Supreme do të shërbejnë si një bazë për vendimmarrje në rastet që mund të parashtrohen në të ardhmen.

Ai gjithashtu sugjeroi se vendimmarrja përfundimtare nga institucionet përgjegjëse mund të ndodhë mjaft shpejt, duke hapur kështu rrugë për certifikimin e rezultateve. Cakolli beson se nëse nuk ndodh gjatë fundjavës, vendimmarrja mund të vijë brenda disa ditëve të para të javës së ardhshme, proces ky që është thelbësor për formimin e institucioneve.

Më tej, ai theksoi se java e tretë e korrikut është periudha më e mundshme për thirrjen e seancës konstituive, duke marrë parasysh afatet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit. Cakolli po ashtu theksoi se ndonëse konstituimi i Kuvendit nuk pritet të ketë pengesa, sfida më e madhe do të jetë zgjedhja e Presidentit të ri.

Nëse Kuvendi konstituohet në gjysmën e dytë të korrikut, atëherë mesi ose fundi i shtatorit do të jetë afati për zgjedhjen e Presidentit. Cakolli e përfundoi duke theksuar se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese sqaron që Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave, duke sjellë kështu nevojën për një proçes të saktë dhe të koordinuar për konstituimin e institucioneve.

Click to comment
  • Be the first to comment

Mund të ju pëlqejn

Advertisement