Me përfundimin e muajit të parë të verës, pritshmëritë për turizmin në Shqipëri mbeten të larta. Operatorët e sektorit parashikojnë një fluks të konsiderueshëm turistësh të huaj, që pritet të sjellë më shumë të ardhura për bizneset dhe arkën e shtetit.
Besnik Vathi, Kryetar i Shoqatës së Tur-Operatorëve, theksoi se lëvizja e turistëve në Shqipëri vazhdon të jetë masive. Ai përmendi se turizmi po zhvillohet në të gjitha segmentet, duke përfshirë atë bregdetar, kulturor dhe malor. Vathi theksoi se nuk kanë pasur shqetësime të veçanta, por përkundrazi, po shohin një rritje të qëndrueshme të fluksit të vizitorëve.
Gjithashtu, operatorët njoftuan se, nga akomodimi në hotele, transporti dhe restorantet, çmimet për pushime këtë verë pritet të rriten. Kjo rritje lidhet me kostot e bizneseve, të cilat janë reflektuar në çmimet për turistët.
Për jugun e vendit, Vathi njoftoi se situata është e ngjashme me vitet e kaluara, ku kërkesa është shumë e lartë dhe kapacitetet mbushen shpejt. Si rezultat, bizneset janë të detyruara të punësojnë staf sezonal me pagat më të larta, duke rritur kështu kostot e tyre dhe çmimet për turistët.
Një nga zhvillimet që mund të ndikojë në uljen e kostove në të ardhmen është vënia në funksion të Aeroportit të Vlorës. Sipas Vathit, hapja e këtij aeroporti do të lehtësojë ardhjen e turistëve dhe do të shpërndajë fluksin më mirë përgjatë bregdetit. Kjo, sipas tij, do të krijojë më shumë konkurrencë, ul kostot operative, dhe në afat më të gjatë pritet të ndikojë në uljen e çmimeve, sidomos në jug.
Duke iu referuar të dhënave nga INSTAT, gjatë pesë muajve të parë të vitit, Shqipëria ka pritur 3.7 milionë turistë të huaj, një rritje prej 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Be the first to comment