Dogana e Kosovës ka zbuluar mbi 7 mijë produkte farmaceutike të padeklaruara në Pikën e Kalimit Kufitar në Jarinjë.
Sipas raporteve, këto produkte u zbuluan gjatë kontrolleve të rregullta, ku zyrtarët doganorë ndaluan një autobus të linjës së rregullt ndërkombëtare për kontroll. Gjatë inspektimit të bagazheve të pasagjerëve, u identifikua një valixhe që përmbante një sasi të konsiderueshme barnash dhe produkteve farmaceutike, të cilat nuk ishin deklaruar dhe nuk kishin dokumentacionin përkatës.
Duke u bazuar në informacionet e Doganës, gjatë kontrollit janë evidentuar gjithsej 7,168 produkte farmaceutike, nga të cilat 7,100 ishin në formë kapsulash, ndërsa 68 produkte ishin në forma të tjera, si shurupe, sprej dhe xhel.
Në përputhje me dispozitat e Ligjit Nr. 08/L-247 – Kodi Doganor dhe i Akcizave, procedura kundërvajtëse është iniciuar ndaj kompanisë transportuese, pasi asnjëri nga pasagjerët nuk e pranoi pronësinë mbi bagazhin. Mallrat e padeklaruara janë ndaluar, dhe janë ndërmarrë veprime të mëtejshme procedurale sipas kompetencave të Doganës së Kosovës.
Be the first to comment