A ndiheni ndonjëherë sikur mushkonjat ju zgjedhin juve si objektiv, ndërsa të tjerët mbeten të paprekur? Sipas shkencëtarëve, kjo nuk është thjesht një përshtypje personale, por një realitet i mbështetur në biologji.
Studimet e fundit po hetojnë kompleksitetin kimik që bën disa individë më tërheqës për mushkonjat se të tjerët. Sipas entomologëve, zgjedhja e mushkonjave nuk është rastësore.
Frederic Simard, nga Instituti i Kërkimeve për Zhvillim në Francë, shprehet se “mushkonjat tërhiqen më shumë nga disa njerëz se nga të tjerët,” duke e theksuar se “nuk jemi të gjithë magnetë gjatë gjithë kohës.”
Por si e gjejnë mushkonjat njeriun? Mushkonjat femra, të vetmet që pickojnë pasi kanë nevojë për gjak për riprodhim, përdorin disa sinjale për të identifikuar njerëzit. Sinjalet kryesore përfshijnë dioksidin e karbonit (CO₂) që nxjerrim gjatë frymëmarrjes, aromën e trupit, nxehtësinë dhe lagështinë e lëkurës.
Sipas shkencëtarit suedez Rickard Ignell, CO₂ është sinjali i parë që orienton mushkonjat nga distanca të mëdha. Ai pohon: “Prej më shumë se 100 vjetësh e dimë që mushkonjat tërhiqen nga CO₂.” Kur afrohen në rreth 10 metra, ato fillojnë të dallojnë aromat individuale të trupit, të cilat i ndihmojnë të zgjedhin objektivin. Në distanca më të afërta, temperatura dhe lagështia e lëkurës e forcojnë tërheqjen.
Aroma e lëkurës luan një rol të rëndësishëm. Trupi i njeriut krijon qindra deri në mijëra përbërje kimike që formojnë një “profil aromatik” unik. Një substancë që ka tërhequr vëmendjen e studiuesve është 1-okten-3-ol, i njohur si “alkooli i kërpudhave”, i cili prodhohet gjatë zbërthimit të yndyrës së lëkurës. Edhe ndryshime të vogla në këtë përbërje mund të ndikojnë në tërheqjen e mushkonjave.
Një studim i fundit mbi mushkonjën “Aedes aegypti” testoi reagimin e insekteve ndaj 42 grave në laborator. Rezultatet treguan se mushkonjat preferonin disa individë, përfshirë gratë shtatzëna, të cilat prodhonin më shumë përbërje aromatike specifike.
Be the first to comment