Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, së bashku me Kolegjin e Komisionerëve të Bashkimit Evropian, ka realizuar një vizitë në Irlandë. Gjatë kësaj vizite, ata diskutuano për prioritetet e presidencës irlandeze të BE-së për gjashtë muajt e ardhshëm.
Një nga temat kryesore të diskutimit ka qenë procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian. Von der Leyen e ka cilësuar këtë proces si njërin nga më të rëndësishmit për Unionin, me një vëmendje të veçantë për Ballkanin Perëndimor dhe vendet kandidate për anëtarësim.
Ajo ka theksuar përparimin e Ukrainës dhe Moldavisë në hapjen e kapitujve të parë të negociatave. Gjithashtu, ka folur për avancimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi në procesin e integrimit.
“Ky është një hap i madh përpara. Shqipëria dhe Mali i Zi po vazhdojnë të përparojnë. E mirëpres shumë mbështetje tuaj të fortë për këtë proces, i cili duhet të jetë i bazuar në meritë,” ka deklaruar von der Leyen. Ajo ka shtuar se qëllimi është përmbyllja e negociatave me Malin e Zi deri në fund të vitit.
Presidentja e Komisionit Evropian ka vlerësuar gjithashtu rolin e Irlandës si një shembull suksesi gjatë procesit të zgjerimit të BE-së. Ajo ka kujtuar rritjen ekonomike të vendit që nga anëtarësimi në vitin 1973, si dhe zgjerimin e vitit 2004, kur Bashkimit Evropian iu bashkuan tetë shtete të reja.
Irlanda aktualisht mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian nga 1 korriku deri më 31 dhjetor, duke u përqëndruar në politikat e zgjerimit dhe zhvillimit të Unionit.
Be the first to comment