Deputeti i zgjedhur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka shprehur shqetësimet e tij në lidhje me zhvillimet rreth qumështores “VITA”, duke kritikuar ashpër qasjen e institucioneve shtetërore ndaj prodhuesve vendorë.
Në një reagim publik, Mustafa theksoi se veprimet e fundit ndaj kësaj fabrike ilustrojnë një qasje represive që dëmton sektorin privat, duke krijuar një atmosferë pasigurie për prodhuesit vendorë. Ai vlerësoi se një klimë e tillë ka pasoja negative për ekonominë e vendit, duke e penguar tërheqjen e investimeve.
Mustafa theksoi se veprimet e inspektorit Armend Muja po e çojnë në mbyllje sektorin e prodhimit të qumështit. Sipas tij, represioni ndaj qumështores “VITA” tregon luftën që qeveria aktuale po zhvillon ndaj sektorit privat.
Ai shprehu se në një ambient të tillë nuk ka hapësirë për investime, qoftë vendore apo të huaja, dhe se qeveria po perceptohet si armiqësore ndaj bizneseve.
Deputeti shtoi se kjo qasje nuk kontribuon në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e kushteve për një jetë dinjitoze në Kosovë. Përkundrazi, sipas tij, po krijohet një model ekonomik ku qytetarët bëhen gjithnjë e më të varur nga ndihmat e qeverisë.
Mustafa theksoi rëndësinë e orientimit të Kosovës drejt politikave që mbështesin prodhimin, punësimin dhe investimet, duke shmangur pengesat ndaj bizneseve lokale.
Be the first to comment