Bleart Tolaj është bërë një nga emrat më të përfolur në merkato verore të futbollit në Kosovë. Brenda një periudhe të shkurtër, dy klube të Superligës bënë njoftime krejtësisht të kundërta për të ardhmen e sulmuesit, duke krijuar një situatë të pazakontë në futbollin vendës.
Në fillim, Gjilani njoftoi se kishte arritur marrëveshje me Tolajn, duke e prezantuar si përforcimin më të ri për sezonin e ardhshëm. Klubi nga Anamorava bëri të ditur se sulmuesi do të veshë fanellën e tij.
Megjithatë, kur gjithçka dukej se ishte e mbyllur, klubi Ballkani nga Suhareka reagoi. Ai publikoi një njoftim zyrtar, në të cilin bëri me dije se kishte rinovuar kontratën me Tolajn për dy vite, duke konfirmuar se futbollisti do të mbetet pjesë e skuadrës.
Këto dy njoftime të ndryshme, të publikuara në një kohë shumë të shkurtër, shkaktuan konfuzion te tifozët dhe në mesin e opinionit sportiv. Të dy klubet paraqesin versione të kundërta për të ardhmen e të njëjtit lojtar.
deri më tani, nuk ka pasur ndonjë sqarim zyrtar nga palët në lidhje me këtë situatë të çuditshme. Tani mbetet të shihet se cila do të jetë hapi i radhës, nëse njëra palë do të tërhiqet apo do të ofrojë informacione shtesë.
Rasti i Bleart Tolajt është shndërruar tashmë në një nga historitë më të pazakonta dhe më të komentuara të këtij afati kalimtar në futbollin kosovar.
Be the first to comment