Policia e Kosovës ka sekuestruar një armë zjarri pas raportimeve për të shtëna në fshatin Jezerc, në Ferizaj.
Sipas njoftimit për media, më 27 qershor 2026, në zonën e njohur si “Livadhet e Kishës”, janë dëgjuar të shtëna me armë në një vilë private. Njësia e Hetimeve dhe Njësia Reaguese janë nisur menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë kontaktuar pronarin e vilës dhe personat e pranishëm.
Gjatë kontrollit, te i dyshuari B.O., 30 vjeç, është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me një karikator me tre fishekë, si dhe dy gëzhoja.
Sipas burimeve, i dyshuari ka pranuar se kishte shkrepur armën dy herë. Gëzhojat janë gjetur dhe sekuestruar në vendin e ngjarjes.
Në lidhje me këtë rast, është njoftuar prokurori i shtetit. Me autorizim të tij, i dyshuari është intervistuar dhe ndaj tij është iniciuar rasti për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Ai është liruar në procedurë të rregullt hetimore.
Be the first to comment