Të paktën 193 milionë njerëz në Evropë, përfshirë 75 milionë në Gjermani, pritet të përjetojnë temperatura mbi 35 gradë Celsius në një moment të caktuar sot. Kjo shifër është një rritje nga dje, ndërsa vala e të nxehtit po lëviz gradualisht drejt verilindjes së kontinentit.
Temperaturat maksimale do të kalojnë 30°C në zonat e Evropës ku banojnë më shumë se 404 milionë njerëz, por do të jenë pak më të ulëta se një ditë më parë. Kjo analizë është bazuar në parashikimet e Shërbimit Meteorologjik Gjerman dhe të dhënat e Qendrës së Përbashkët të Kërkimit për vitin 2025, si dhe informacionet nga OJQ-në austriake Klimadashboard.
Një model moti, i llogaritur dje në orën 3:00 GMT, parashikoi se 150 milionë njerëz do të ekspozoheshin ndaj temperaturave mbi 35°C.
Një nga zonat më të prekura nga temperaturat ekstreme pritet të jetë Gjermania. Aty, rreth 82 milionë njerëz do të përjetojnë temperatura mbi 30°C, ndërsa 75 milionë do të duhet të përballen me vlera mbi 35°C.
Në Hungari, pothuajse e gjithë territori do të ekspozohet ndaj temperaturave të larta, duke prekur më shumë se 9 milionë banorë. Edhe një pjesë e madhe e Austrisë, përfshirë kryeqytetin Vjenë, do të ndjejë efektin e kësaj vale të nxehti. Ndërkohë, Republika Çeke, sidomos Praga, dhe disa rajone të Polonisë do të përjetojnë po ashtu temperatura shumë të larta.
Nga Greqia deri në Skandinavi, temperaturat pritet të kalojnë 30°C në shumicën e vendeve të Evropës. Ndërsa, në Londër, Portugali dhe disa pjesë të Spanjës, kushtet atmosferike pritet të mbeten relativisht të pandryshuara. Parashikuesit e motit në Francë presin që temperaturat të kalojnë 35°C në një zonë me rreth 26 milionë banorë, që është më pak se një ditë më parë.
Për të mbledhur këto të dhëna, AFP përdori një metodë të ngjashme me atë të organizatës Klimadashboard, duke kombinuar modelin e parashikimit të motit nga Shërbimi Meteorologjik Gjerman me dendësinë e popullsisë. Saktësia e këtij modeli është rreth 6.5 km, por ai nuk arrin të përshkruajë plotësisht gjendjen e ishujve të nxehtësisë urbane, sipas David Jablonski nga Klimadashboard.
Kjo analize sugjeron se numri i njerëzve të prekur nga temperaturat e larta në zonat urbane me popullsi të dendur mund të jetë nënvlerësuar.
Be the first to comment