Temperaturat e larta dhe vala e të nxehtit po ndikojnë ndjeshëm në shumë vende të Evropës. France, Italia dhe Spanja janë përballur me temperatura rekord, duke ngritur alarmin e kuq në këto shtete.
Përveç pasojave që kanë ndikuar në jetën e qytetarëve, fenomeni i njohur si “El Nino” ka shkaktuar viktimat e para në këtë rajon, me temperatura që raportohet se kanë arritur deri në 43 gradë Celsius. Ndërkohë, Vera pritet të sjellë të njëjtat kushte klimatike edhe në Kosovë, ku mjekët këshillojnë për kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë orëve kur rrezet e diellit janë më të forta.
Dr. Agim Krasniqi, specialist i Mjekësisë Familjare, theksoi për klankosova.tv se ekspozimi në temperatura të larta mund të shkaktojë komplikime shëndetësore te ata që vuajnë nga sëmundje përcjellëse. Ai u shpreh se personat me hipertension dhe diabet, si dhe ata me sëmundje të tjera kronike, janë veçanërisht të rrezikuar.
Në këtë kontekst, grupmoshat më të ndjeshme përfshijnë foshnjat, fëmijët dhe ata mbi 65 vjeç. Krasniqi rekomandon që qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme nga ora 11:00 deri në 17:00 dhe të sigurojnë hidratim të mjaftueshëm, madje edhe nëse nuk ndihen të etur.
Ai gjithashtu paralajmëroi për simptomat që mund të shfaqen si rezultat i ekspozimit të tepërt në temperatura të larta, si djersitja e tepërt dhe rritja e temperaturës trupore. Sipas tij, numri i pacientëve ka shënuar një rritje, sidomos mes punëtorëve të ndërtimtarisë, të cilët janë më të ekspozuar ndaj diellit gjatë punës së përditshme.
Dr. Krasniqi përfundoi duke theksuar rëndësinë e vetëdijesimit të qytetarëve për situatën, për të parandaluar rreziqet shëndetësore që sjellin temperaturat ekstreme.
Be the first to comment