Pas raportimeve të qytetarëve në emisionin “Fol me Arin” në KlanKosovaFM, Inspektorati Komunal i Ferizajt ka ndërmarrë një veprim të menjëhershëm për pastrimin e një zone të ndotur nga mbeturinat.
Disa fotografi të dorëzuara nga qytetarët në redaksinë e emisionit kanë evidentuar gjendjen shqetësuese të mbeturinave në kryqëzimin e rrugëve “Gjon Serreçi”, “Astrit Bytyqi” dhe “2 Korriku”.
Menjëherë pas pranimit të informacioneve, ekipi i “Fol me Arin” ka njoftuar Inspektoratin e Komunës së Ferizajt. Këta të fundit kanë reaguar shpejt, duke dërguar një ekip në terren për të larguar mbeturinat nga lokacioni i raportuar.
Kryeinspektori i Ferizajt, Feriz Hyseni, gjatë një inkuadrimi në emisionin e sotëm, ka deklaruar se do të merren masa ndëshkuese ndaj personave që hedhin mbeturina në vende të palejuara. Ai ka paralajmëruar se inspektorati do të rrisë kontrollet në terren dhe se shkelësit do të përballen me gjoba sipas ligjeve në fuqi.
Autoritetet komunale u bënë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë së ambientit dhe të raportojnë rastet e ndotjes tek institucionet përgjegjëse.
Be the first to comment