Procesi i intervistimit për Kryeprokurorin e Shtetit do të nisë më 1 korrik të këtij viti. Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka caktuar tashmë datat për këtë proces.
Në kuadër të përgatitjeve, të mërkurën u mbajt takimi i Panelit Vlerësues, i cili është përgjegjës për emërimin e Kryeprokurorit. KPK-ja gjithashtu ka bërë të ditur se palët e interesuara do të kenë mundësinë të monitorojnë intervistat e kandidatëve.
Në një njoftim të KPK-së, thuhet: “Të gjithë të interesuarit këshillohen të respektojnë rregullat dhe oraret e përcaktuara nga KPK-ja. Po ashtu, për shkak të hapësirës së kufizuar, ata duhet të konfirmojnë emrin e një përfaqësuesi/monitoruesi duke kontaktuar Zyrën për Komunikim Publik në adresën: info.kpk@rks-psh.org deri më 26 qershor 2026.”
Pesë kandidatët që janë në garë për postin e Kryeprokurorit të Shtetit janë: Atdhe Dema, Naim Abazi, Rafet Halimi, Shqipdon Fazliu dhe Zejnullah Gashi.
