Një i ri shqiptar, i cili jeton në Hamburg, ka kërkuar ndihmë nga disa individë që pretendojnë se organizojnë bashkime çiftesh. Ai ka shprehur vështirësi në përballimin e ndarjes nga e fejuara e tij.
Ai madje është i gatshëm të paguajë një shumë të konsiderueshme në përpjekje për të rikthyer marrëdhënien me të fejuarën, sipas informacioneve nga Klankosova.tv.
Ky rast ka ngjallur një debat për besimin në këto lloj “fuqish”.
Psikologu Rron Kastrati, gjatë një interviste në emisionin “Kosova Today”, theksoi se këto tema po bëhen gjithnjë e më të zakonshme. Ai e përshkroi konfrontimin me to si një sfidë për qytetarët në përditshmërinë e tyre.
Kur u pyet për ekzistencën e një fuqie të tillë, psikologu u shpreh se kjo fuqi ndodhet brenda trurit. “A ekziston një fuqi të tillë? Po, e di ku ndodhet? Brenda trurit, askund tjetër. Gjithçka është tek truri dhe mënyra e të menduarit,” tha ai në Klan Kosova.
Nga ana tjetër, astrologia Antigona Kotorri kujtoi se energjia e njeriut mund të përdoret si për të mirë, ashtu edhe për të keq.
“Problemi në këto raste është se qasja në energjinë e dikujt bëhet pa lejen e tij. Kjo është e mundur, por përbën një shkelje të rregullave universale, të Zotit, të Krijuesit,” sqaroi ajo gjatë diskutimit në emisionin “Kosova Today”.


















You must be logged in to post a comment Login