Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, organizoi një pritje në Ballkonin e Hapur të Qeverisë për të shënuar 24 Qershorin, Ditën Memoriale të Komunitetit Egjiptian.
Në fjalën e tij, Kurti vlerësoi rolin e komunitetit egjiptian në procesin e shtetndërtimit të Kosovës. Ai theksoi se ky komunitet ka kontribuar ndjeshëm në periudha të ndryshme historike.
“Komuniteti egjiptian ka qenë pjesë e pandarë e historisë sonë, nga përpjekjet fillestare për liri deri te shpallja e pavarësisë dhe funksionimi i institucioneve demokratike. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju shpreh mirënjohjen time më të thellë,” deklaroi Kurti.
Ai theksoi rëndësinë e ditëve memoriale, që rikujtojnë historinë dhe rolin e komuniteteve në shoqëri. Kurti përmendi se Kosova është ndërtuar mbi parimet e lirisë, barazisë dhe respektit për dinjitetin e secilit qytetar.
Ai siguroi se angazhimi për të garantuar të drejta dhe mundësi të barabarta, si dhe përfaqësim dinjitoz për të gjitha komunitetet, do të mbetet i palëkundur.
Në fund, Kurti uroi të gjithë për Ditën Memoriale të Komunitetit Egjiptian.



















You must be logged in to post a comment Login