Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramadan Shaban Zymeraj, nga Guri i Kuq, është ndarë nga jeta.

Për këtë ngjarje të trishtuar, kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka shprehur pikëllimin e tij. Në një postim në Facebook, ai theksoi kontributin e çmuar të Zymerajt në luftën për liri, duke përmendur gjithashtu pjesëmarrjen e tij në bartjen e armatimit nga Shqipëria për UÇK-në.

Latifi përmendi se në shtator të vitit 1998, Zymeraj u arrestua në malet e fshatit të tij, duke e mbajtur veshur uniformën e UÇK-së. Bashkë me të, u arrestua edhe djali i tij, Blerimi. Gjatë qëndrimit në burgun e Dubravës, ai përjetoi një masakër dhe u plagos rëndë në të dyja këmbët, duke mbetur invalid i luftës.

Në njoftimin e tij, kryetari Latifi e cilësoi Zymerajn si një luftëtar të lirisë, një njeri të ndershëm dhe një prind shembullor, i cili me sakrificë rriti tetë djem dhe tri vajza. Ai gjithashtu shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen Zymeraj, bashkëluftëtarët, miqtë dhe të afërmit.

“Qoftë i paharruar kujtimi për bacën Ramadan!”, përfundoi ai.