Pas tërheqjes nga rendi i ditës të Propozim-Vendimit për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të mbi 75 hektarëve tokë komunale, asamblisti i LDK-së në Gjilan, Gentrit Murseli, ka reaguar duke e konsideruar këtë zhvillim si rezultat të reagimeve publike dhe presionit qytetar.
Në një deklaratë, Murseli theksoi se vendimi për tërheqjen erdhi si pasojë e shqetësimeve të ngritura nga qytetarët dhe reagimeve që janë shprehur në ditët e fundit. Ai përmendi se administrata e Kuvendit ka njoftuar për tërheqjen e propozimit, duke e konsideruar këtë si një fitore për transparencën dhe reagimin e publikut.
“Tërheqja e këtij propozimi është një hap prapa i kryetarit të komunës, Alban Hyseni,” u shpreh Murseli. Ai kritikoi tentativën për t’i dhënë këtë pronë publike një kompanie të sapoformuar, duke theksuar se pronat publike nuk duhet të shihen si çështje interesash private.
“Ky vendim nuk kalon, pasi pasuria e qytetarëve nuk negociohet e as nuk falet për interesa personale,” theksoi ai.
Propozimi i tërhequr ishte planifikuar të shqyrtohej në Kuvendin Komunal dhe ka shkaktuar shumë reagime në opinionin publik dhe nga përfaqësues të opozitës. Ndërkohë, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, nuk ka dhënë ende ndonjë deklaratë lidhur me këtë tërheqje.
Be the first to comment