Asamblisti i Kuvendit Komunal të Gjilanit dhe kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet, Gentrit Murseli, ka reaguar ndaj një propozim-vendimi të Komunës së Gjilanit. Ky propozim synon dhënien në shfrytëzim afatgjatë të dy parcelave komunale.
Në një postim në Facebook, Murseli ka bërë publike dokumente që, sipas tij, vërtetojnë se pushteti komunal ka proceduar një propozim për dhënien në shfrytëzim për 99 vjet të dy parcelave me sipërfaqe totale prej mbi 75 hektarësh, ose më shumë se 750 mijë metra katrorë.
Ai ka theksuar se fitues i propozuar për këtë pronë është kompania “NORD KOS”, e cila, siç njofton Murseli, është themeluar më 24 prill të këtij viti.
“Pra, kryetari i komunës, Alban Hyseni, tenton të japë pronat komunale në shfrytëzim sikur të ishin prona të tij private, pronarëve të një biznesi të hapur vetëm 2 muaj më parë,” ka shkruar ai.
Murseli ka pretenduar se procesi nuk ka respektuar procedurat ligjore dhe se ka munguar transparenca ndaj publikut.
Në cilësinë e anëtarit të Kuvendit Komunal, ai ka kërkuar anulimin e menjëhershëm të këtij vendimi.
“Le të jetë ky vendimi i fundit i këtyre pazareve të natës, si dhe mësim për Alban Hysenin se nuk mund ta falë asnjë centimetër tokë të qytetarëve të Gjilanit për interesa të tij personale,” është shprehur Murseli.



















You must be logged in to post a comment Login