Djali nëntë-vjeçar i këngëtarit të ndjerë Liam Payne do të jetë përfituesi i vetëm i pasurisë së tij, e cila vlerësohet në rreth 21 milionë paund.
Sipas dokumenteve gjyqësore, pasuria e ish-anëtarit të grupit “One Direction” do të përdoret menjëherë për nevojat dhe mirëqenien e Bear Gray Payne, djalit që ai kishte me këngëtaren Cheryl Tweedy.
Liam Payne humbi jetën më 16 tetor 2024, pas një incidenti tragjik nga kati i tretë i hotelit “Casa Sur” në Buenos Aires të Argjentinës. Ai nuk kishte lënë testament, prandaj Cheryl Tweedy dhe avokati i tij, Richard Bray, u emëruan si administratorë të pasurisë.
Fillimisht, roli i tyre përfshinte administrimin dhe ruajtjen e aseteve të këngëtarit. Megjithatë, një vendim i ri nga autoritetet lejon që një pjesë e fondeve të përdoret për djalin e tij, ndërsa pjesa tjetër do të administrohet përmes një fondi mirëbesimi deri në moshën 18-vjeçare të Bear.
Mes pasurive të Liam Payne përfshihet edhe një rezidencë me pesë dhoma gjumi në Chalfont St Giles, e cila u ble në vitin 2021 për 3.25 milionë paund. Ky vendim ishte marrë me qëllimin për të qenë më pranë djalit të tij pas ndarjes nga Cheryl.
Sa i përket çështjes ligjore lidhur me vdekjen e tij, akuzat për vrasje nga pakujdesia ndaj mikut të Liamit, Rogelio ‘Roger’ Nores, si dhe ndaj operatores së hotelit Gilda Martin dhe recepsionistit Esteban Grassi, u rrëzuan. Megjithatë, punonjësi i hotelit Ezequiel Pereyra dhe kamarieri Braian Paiz vazhdojnë të mbeten të akuzuar zyrtarisht për furnizimin e këngëtarit me kokainë.
Be the first to comment