Regjistrimi i parë për vitin shkollor 2026/2027 në gjimnazin “28 Nëntori” në qytetin e Dibrës, Maqedoni e Veriut, ka reflektuar një interesim të dukshëm më të ulët krahasuar me vitet e kaluara. Nga 238 vende të ofruara për nxënës të rinj, deri tani janë plotësuar vetëm 32.
Sipas të dhënave nga komisioni i regjistrimit, gjatë afatit të parë kanë aplikuar 44 nxënës të cilët përfunduan arsimin fillor. Ndër ta, 12 janë për paralelet në gjuhën maqedonase dhe 32 për ato në gjuhën shqipe. Megjithatë, procesin e regjistrimit e përfunduan vetëm 32 nxënës, saktësisht 7 në gjuhën maqedonase dhe 25 në gjuhën shqipe.
Bora Korumi, profesoreshë dhe udhëheqëse e këtij procesi, shprehu shpresën se në regjistrimin e dytë, i cili do të zhvillohet më 23 qershor, do të ketë më shumë nxënës të regjistruar.
Sipas Konkursit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, gjimnazi “28 Nëntori” ka parashikuar gjithsej 238 vende për nxënësit e rinj në të dyja gjuhët mësimore. Prej tyre, 102 vende janë për tre paralele në gjuhën maqedonase, përfshirë paralelen rajonale në fshatin Mogorçë, ndërsa 136 vende janë të dedikuara për katër paralele në gjuhën shqipe.
Një nga kushtet për regjistrim është arritja e minimumit prej 60 pikësh. Megjithatë, pritet që në afatin e dytë të regjistrimit dhe në atë të gushtit, që do të mbahet më 20 gusht, ky prag të ulet për të ndihmuar në plotësimin e vendeve të lira.
Rënia e interesimit është veçanërisht evidente kur krahasohet me vitin e kaluar shkollor. Në regjistrimin e parë për vitin 2025/2026, ishin regjistruar 95 nxënës, nga të cilët 25 në gjuhën maqedonase dhe 70 në gjuhën shqipe.
Ekspertët e arsimit dhe drejtuesit e shkollës mendojnë se ky trend është i lidhur ngushtë me uljen e numrit të nxënësve në shkollat fillore, si rezultat i migrimit vazhdues të popullsisë. Gjithashtu, shumë të rinj po orientojnë drejt shkollave të mesme profesionale në qytete si Struga, Ohri, Tetova dhe Shkupi, çka ndikon në zvogëlimin e regjistrimeve në gjimnazet tradicionale.
Sidoqoftë, drejtuesit e gjimnazit “28 Nëntori” shfaqin optimizëm se në registrimet e ardhshme do të ketë një interesim më të madh dhe se disa nga vendet e lira do të plotësohen.



















You must be logged in to post a comment Login