Policia e Shqipërisë njoftoi se ka arrestuar një person të shumëkërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Operacioni është zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit.
Sipas njoftimit, pas një pune intensive hetimore dhe operacionale, është arritur të lokalizohet dhe kapet një shtetas në Ksamil, konkretisht në një automjet tip “Audi”. Ai është identifikuar si E. K. (Ç.), 34 vjeç, banues në Elbasan, i dyshuar si anëtar i një grupi kriminal me rrezikshmëri të lartë në qytetin e Elbasanit.
Gjatë ndërhyrjes, ky shtetas ka tentuar të largohet, por është neutralizuar dhe arrestuar nga shërbimet e Policisë.
Ky person ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi një vendim të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin, e cila e kishte dënuar me 4 vjet burgim. Ai ka mbetur për të vuajtur një dënim prej 2 vjetësh, 9 muajsh dhe 9 ditësh për akuzat lidhur me “Grupin e strukturuar kriminal” dhe “Sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Be the first to comment