Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Shukrije Obërtinca, 16-vjeçarja që dha jetën për lirinë e Kosovës

Shukrije Obërtinca, 16-vjeçarja që dha jetën për lirinë e Kosovës

Vajza e re nga Fushë Kosova, e cila la pas bankat e shkollës dhe dëshirën për t’u bërë mjeke, u bë pjesë e historisë së sakrificës për liri.

Më 27 mars 1989, vetëm katër ditë pasi kishte mbushur 16 vjet, Shukrije Obërtinca nga Lismiri i Fushë Kosovës u vra nga forcat serbe gjatë demonstratave në Prishtinë. Ëndrra e saj për lirinë e Kosovës u ndërpre tragjikisht, ndërsa sot ajo përkujtohet përmes një rruge që mban emrin e saj në Fushë Kosovë.

Shukrija ishte një nxënëse e shkëlqyer dhe e dhënë pas librave, por gjithashtu kontribuese në punët bujqësore të familjes. Ajo kishte një lidhje të veçantë me gjyshin e saj, me të cilin shpesh diskutonte për politikën, një temë që e kënaqte.

Motra e saj, Lumnije Obërtinca, kujton me nostalgji momentin kur Shukrija, së bashku me të, vëllain dhe disa të afërm, u nisën për në demonstratë, duke biseduar e qeshur. “Sapo mbërritëm në rrugën ‘Ilir Konushevci’, dëgjuam të shtëna armësh drejtuar turmës”, thotë ajo.

Lumnija përshkruan me dhimbje momentin e tragjedisë kur e motra iu qëllua dhe vdiq në duar të saj. “Kur i kam parë plumbat si breshër, nuk di si s’kanë vdekur më shumë njerëz. Vrapova pas saj dhe e mbulova kokën me prehër timin. Shukrija më shikoi vetëm një herë; më vdiq në duar”, thotë ajo.

Familjarët e mbajnë mend Shukrijen si një vajzë me humor dhe buzëqeshje. Babai i saj, Fetah Obërtinca, kujton momentet e fundit me të, kur ajo i kërkoi leje për të marrë pjesë në demonstratë.

“Në atë moment, iu dhashë para për autobus dhe ajo doli”, tregon babai. Ai shton se ajo ishte një nxënëse shembullore dhe një vajzë me sjellje të mira.

Pas luftës, e ëma ka ruajtur mantilin e bardhë të Shukrijes, por shumë kujtime janë humbur pas djegies së shtëpisë. Në kujtim të saj, një familjar ka realizuar një pikturë, e cila mbetet një nga kujtimet e pakta të mbetura.

Shoqja e saj, Hatiqe Obërtinca-Hajdini, e përshkruan Shukrijen si një vajzë të qetë dhe të dashur, me të cilën kalonte kohë në shkollë dhe jashtë saj. Ajo kujton se Shukrija kishte dëshirë të ndiqte shkollën e mjekësisë, por përfundoi kursin për frizerkë.

Dyrije Beqiri, vajza e hallës, tregon se një nga dëshirat e Shukrijes ishte hapja e një salloni frizerie së bashku. “U gëzua shumë që ne mund të punojmë bashkë”, thotë ajo.

Për të nderuar sakrificën e Shukrijes, në Fushë Kosovë është duke u ndërtuar një çerdhe që do të mbajë emrin e saj, si një shenjë respekti për jetën e saj dhe lidhjen me edukimin e fëmijëve.

Motra e saj, Lumnija, ka bërë kërkesë për vendosjen e një pllake përkujtimore në rrugën ku Shukrija u vra, por kërkesa është refuzuar. Ajo gjithashtu ka kërkuar ndërtimin e një sheshi përkujtimor në Fushë Kosovë, për të cilin ende nuk ka një përgjigje.

Askush deri më sot nuk është dënuar për vrasjen e Shukrijes.

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

Mund të ju pëlqejn

Advertisement