Ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka reaguar pas akteve të shumta lidhur me aksidentin tragjik që ndodhi të dielën në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku një grua humbi jetën dhe një burrë u lëndua rëndë.
Basha njoftoi se ministria ka nënshkruar kontrata për sanimin e plotë të skarpatave në tri segmente të autostradës, duke hedhur poshtë pretendimet se veprimet e tanishme bëhen vetëm për largimin e dheut nga zona problematike.
“Ministria ka njoftuar se ka nënshkruar kontrata për sanimin e skarpatave në autostradën ‘Ibrahim Rugova’. Në këtë rast, nuk bëhet fjalë për ‘heqje dheu’, siç po e manipulojnë disa, por për projekte tërësore për sanimin e skarpatave,” tha Basha.
Ai gjithashtu komentoi pretendimet që lidhin aksidentin me rrëshqitjen e dheut, duke theksuar se autoritetet janë në pritje të raportit përkatës nga Policia e Kosovës.
“Një veprim tjetër i papranueshëm është manipulimi me aksidentin e ndodhur gjatë vikendit. Autostrada ka qenë e pastruar nga dheu në momentin e aksidentit. Ne po presim raportin zyrtar dhe refuzojmë të bëhemi pjesë e manipulimeve politike që përpiqen të shfrytëzojnë këtë tragjedi,” nënvizoi ai.
Dimal Basha shprehu ngushëllime për familjen e viktimës, duke akuzuar kundërshtarët politikë për përpjekjet që bëjnë për të përfituar nga ngjarja.
“Familjes së ndjerës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Na vjen keq që, përveç dhimbjes që shkaktoi ky aksident, disa persona po përpiqen të nxjerrin përfitime politike. Qytetarët e njohin mirë situatën dhe këtë e tregojnë në çdo palë zgjedhje,” përfundoi Basha.



















You must be logged in to post a comment Login