Procesi i numërimit të votave në përfaqësitë diplomatike të Kosovës po vazhdon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR). Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka planifikuar që ky proces të përfundojë gjatë ditës së premte.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një prononcim për Klan Kosova, bëri me dije se numërimi i votave ka filluar pasditen e së enjtes. Ai tha: “Procesi ka nisur gjatë pasdites së enjtes dhe deri në fund të asaj dite janë numëruar 13 vendvotime nga 47 të përfaqësive diplomatike. Menjëherë në mëngjes kemi vazhduar me kutitë e tjera dhe si KQZ, po bëjmë përpjekje që numërimi i votave të përfundojë gjatë ditës së sotme, e premte.”
Elezi gjithashtu përmendi ecurinë e procesit në Qendrat Komunale të Numërimit, ku zhvillohet numërimi i votave për kandidatët për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime.
Ai deklaroi: “Sa i përket procesit në Qendrat Komunale të Numërimit, mund të konfirmoj se vetëm para pak çastesh kemi përmbyllur procesin në dy komuna, Gjilan dhe Prizren. Numri i përgjithshëm i komunave që kanë përmbyllur këto aktivitete është 37. Ka mbetur vetëm Komuna e Prishtinës, e cila ka numrin më të madh të vendvotimeve, gjithsej 262. Është e natyrshme që ky proces të përfundojë më vonë. Besojmë se do të përfundojë gjatë fundjavës që kemi përpara.”
















You must be logged in to post a comment Login