Aktori dhe këngëtari Bes Kallaku ka reaguar me sinqeritet në llogarinë e tij në Instagram, duke iu përgjigjur kritikave dhe pyetjeve rreth pjesëmarrjes së tij në protestat e fundit qytetare.
Në një letër të postuar, ai ka sqaruar pozicionin e tij dhe arsyet që e kanë nxitur të jetë pranë njerëzve të thjeshtë. Kallaku ka cituar skeptikët, të cilët e kanë pyetur: “Pse del në protestë? Ti je mirë.” Ai gjithashtu ka theksuar se disa e akuzojnë se e bën këtë për vëmendje të mëtejshme në rrjetet sociale.
Aktori ka hedhur poshtë këto aludime duke nënvizuar se nuk ka nevojë për vëmendje të tillë. Ai ndjehet i mbështetur nga 1.2 milion ndjekës që e kanë përkrahur në çdo moment të tij, duke përfshirë edhe kohët e vështira.
Motivi i tij, sipas Kallakut, është një lidhje e fortë me vendin dhe popullin. “Unë dal sepse jetoj këtu, ku janë familjarët e mi dhe miqtë e mi. Kam parë të njëjtat probleme dhe lodhje në sytë e njerëzve,” ka shkruar ai, duke e bërë të qartë se nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj realitetit në Shqipëri.
Ai gjithashtu ka folur për lidhjet e tij me politikën, duke u shprehur se nuk i detyrohet asnjë partie. Kallaku theksoi se miqësitë në politikë i kanë shkaktuar kosto të mëdha, të cilat ende i ndjen në supet e tij. “Nuk kam përfituar kurrë nga askush,” ka thënë ai.
Në përfundim të letrës, Bes Kallaku ka theksuar se si artist ai ka një detyrë morale të flasë për shqetësimet qytetare, duke përmendur veçanërisht ndjeshmërinë e tij ndaj kauzave mjedisore. Ai e ka mbyllur mesazhin duke thënë se arti e ka mësuar të jetë pranë njerëzve që e bëjnë atë atë që është, dhe se heshtja do ta bënte të humbiste shumë më tepër sesa çfarëdo përfitimi nga konformizmi.















You must be logged in to post a comment Login