Prishtina pritet të kthehet për dy ditë në një qendër të rëndësishme debati për drejtësinë tranzicionale, gjykatat ndërkombëtare dhe proceset që lidhen me luftën e Kosovës.
Më 10 dhe 11 qershor, në prag të Ditës së Çlirimit, në kryeqytet do të mbahet një konferencë e madhe kushtuar Gjykatës Speciale dhe instrumenteve të drejtësisë tranzicionale. Ngjarja po konsiderohet si një nga konferencat më të mëdha të organizuara deri më tani në Kosovë për këtë temë, me pjesëmarrjen e dhjetëra personaliteteve vendore dhe ndërkombëtare.
Në fokus të diskutimeve pritet të jetë roli i gjykatave ndërkombëtare në trajtimin e luftës së Kosovës, raporti i tyre me të vërtetën historike, ndikimi në opinionin publik dhe debatet e vazhdueshme rreth procesit në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Konferenca vjen në një kohë kur procesi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, vazhdon të jetë një nga temat më të ndjeshme politike, juridike dhe shoqërore për Kosovën. Sipas raportimeve, procesi në Hagë po vazhdon tash e rreth gjashtë vjet, ndërsa debati për drejtësinë, balancën historike dhe trajtimin e luftës së UÇK-së mbetet ende i hapur.
Pjesë e paneleve do të jenë edhe emra të njohur ndërkombëtarë që ndër vite kanë folur hapur për proceset e drejtësisë ndërkombëtare. Mes tyre përmenden Sir Geoffrey Nice, ish-prokuror kundër Slobodan Milosheviqit në Tribunalin e Hagës, Daan Everts, ish-shef i OSBE-së në Kosovë, Robert Bosch, ish-ambasador i Holandës në Kosovë, si dhe Nevenka Tromp, hulumtuese e Tribunalit të Hagës.
Një rëndësi të veçantë në këtë konferencë do të ketë edhe roli i mediave në drejtësinë tranzicionale. Për këtë temë pritet të flasin emra të njohur të gazetarisë dhe analizës ndërkombëtare, si Tim Judah, korrespondent i revistës “The Economist”, Ana Di Lellio, Dan Perry, ish-drejtor i “Associated Press” për Evropë, dhe personalitete të tjera që kanë ndjekur prej vitesh zhvillimet politike dhe historike në Ballkan.
Në mesin e panelistëve do të jenë edhe ish-ministra të jashtëm dhe figura politike nga rajoni e më gjerë, përfshirë Gent Cakajn, Bujar Osmanin, Petrit Selimin, ish-ministrin britanik Denis MacShane, si dhe ish-ministrin kanadez Ross Reid, i cili ka shërbyer edhe si drejtor i zyrës së NDI-së në Kosovë.
Një nga temat më aktuale që pritet të trajtohet është edhe ndikimi i dezinformatave në rrjetet sociale dhe mënyra se si ato mund ta formësojnë apo shtrembërojnë interpretimin historik. Për këtë çështje do të flasë historiani Jason Steinhauer, i njohur për trajtimin e marrëdhënies mes historisë, teknologjisë dhe hapësirës digjitale.
Kjo konferencë nuk është vetëm një ngjarje akademike apo juridike. Për Kosovën, ajo prek një temë shumë më të thellë: mënyrën se si rrëfehet lufta, si ndërtohet kujtesa kolektive dhe si gjykohet një periudhë historike që për popullin e Kosovës lidhet drejtpërdrejt me lirinë.
Në një kohë kur Gjykata Speciale vazhdon të ngjallë debate të forta, ardhja e emrave të tillë në Prishtinë pritet t’i japë kësaj teme një dimension më të gjerë ndërkombëtar.
Organizatorë të konferencës janë organizatat e shoqërisë civile “Liria ka Emër” dhe KIPRED.















You must be logged in to post a comment Login