Gjatë javës së ardhshme, territori i Kosovës do të ndikohet nga masa ajrore të qëndrueshme, të cilat vijnë nga Evropa Qendrore dhe Verilindore.
Sipas të dhënave nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, moti do të jetë kryesisht i kthjellët dhe i ngrohtë, me disa zhvillime lokale të vranësirave konvektive gjatë orëve të pasdites. Nga mesi i javës, pritet të depërtojë një front i dobët atmosferik, duke krijuar kushte për reshje lokale shiu dhe shkarkesa elektrike. Në disa zona, nuk përjashtohet mundësia e reshjeve të breshrit. Temperaturat do të mbeten mbi vlerat mesatare për këtë periudhë, megjithatë në fundjavë pritet një rënie graduale e tyre.
E hënë (08.06.2026)
Moti do të jetë me diell dhe vranësira të pakta deri mesatare. Kushtet atmosferike do të jenë të qëndrueshme, pa reshje. Temperaturat minimale do të variojnë nga 10 deri në 14°C, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 25 deri në 28°C. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1–4 m/s.
E martë (09.06.2026)
Parashihet mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Vranësirat do të jenë më të theksuara në zonat malore, pa kushte për reshje të rëndësishme. Temperaturat minimale do të luhaten nga 10 deri në 13°C, ndërsa temperaturat maksimale do të arrijnë nga 26 deri në 29°C. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1–5 m/s.
E mërkurë (10.06.2026)
Moti do të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara. Gjatë pjesës së dytë të ditës, vranësirat do të dendësohen dhe vende-vende do të sjellin reshje shiu, të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Në zona të izoluara, nuk përjashtohet mundësia e reshjeve të breshrit. Temperaturat minimale do të jenë nga 13 deri në 17°C, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 26 deri në 29°C. Era do të vijë kryesisht nga verilindja me shpejtësi 1–11 m/s.
E enjte (11.06.2026)
Parashihet mot me diell dhe vranësira të dendura. Gjatë ditës, vranësirat do të zhvillohen dhe priten reshje shiu, rrebeshe të shkurtëra dhe shkarkesa elektrike. Në disa lokalitete, ka rrezik për paraqitje të breshrit. Temperaturat do të registrojnë rënie krahasuar me ditët e mëparshme, me minimale nga 11 deri në 14°C dhe maksimale nga 21 deri në 25°C. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1–10 m/s.
E premte (12.06.2026)
Moti do të mbetet me diell dhe vranësira të shpërndara. Vende-vende priten riga të dobëta shiu, kryesisht në orët e pasdites. Temperaturat do të pësojnë një ulje të lehtë për shkak të ajrit më të freskët. Minimalet do të variojnë nga 10 deri në 13°C, ndërsa maksimale nga 20 deri në 24°C. Era do të jetë nga veriperëndimi me shpejtësi 1–4 m/s.
Indeksi UV pritet të jetë i lartë gjatë pjesës më të madhe të javës, për këtë arsye rekomandohet shmangia e ekspozimit të gjatë në rrezet direkte të diellit gjatë orëve të mesditës. Kushtet biometeorologjike do të jenë kryesisht të favorshme për shumicën e popullatës.















You must be logged in to post a comment Login