Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, ka theksuar rëndësinë e grave në zhvillimin e Kosovës. Ajo deklaroi se as fushata zgjedhore, as vetë shteti nuk do të ekzistonin pa kontributin e tyre.
Në një fjalim para mbështetësve, Osmani u ndal te roli i nënave, gjysheve dhe grave nga fusha të ndryshme shoqërore. Ajo theksoi se ato kanë qenë shtyllat e familjes dhe të shtetit në periudha të vështira.
“Do të flas për nënat, që ngrihen çdo mëngjes përpara të tjerëve dhe bien të flenë pas të gjithëve. Për gjyshet, që mbajtën familjet në këmbë gjatë viteve të vështira, dhe sot, duke ndihmuar në rritjen e nipave e mbesave, po ashtu ndihmojnë ekonominë,” deklaroi ajo.
Osmani përmendi gratë e rezistencës paqësore, anëtaret e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), aktivistet dhe ato që punojnë në fusha si bujqësia, biznesi, arsimimi, shëndetësia, media, arti, shkenca, teknologjia, politika, diplomacia, si dhe mbrojtja dhe siguria. Sipas saj, kontributi i grave dhe vajzave është i paçmuar për zhvillimin e vendit.
Duke folur për sfidat me të cilat përballen gratë, Osmani tha se vendi nuk mund të përparojë siç meriton nëse ato vazhdojnë të hasin pengesa të pamerituara. Ajo theksoi rëndësinë e barazisë në mundësi, duke përmendur nevojën për qasje të barabartë në arsimim, punësim dhe zhvillim profesional për vajzat dhe gratë, pavarësisht vendbanimit.
Osmani preku angazhimin e saj për të promovuar politika që nxisin punësimin e grave dhe lehtësojnë aksesin e tyre në mundësi të ndryshme. Ajo theksoi se e ardhmja e Kosovës duhet të ndërtohet mbi dije dhe zhvillim.
“Ne dëshirojmë një Kosovë ku vajzat tona udhëheqin laboratorë kërkimorë, kompani teknologjike, universitete dhe institucione publike. Ekonomia e së ardhmes nuk ndërtohet vetëm me asfalt dhe beton, por mbi të gjitha, me dije,” tha ajo.
Po ashtu, Osmani premtoi mbështetje më të madhe për nënat, fëmijët dhe për shërbimet cilësore për fëmijët, në mënyrë që asnjë grua të mos detyrohet të heqë dorë nga puna për shkak të mungesës së mbështetjes.
“E ardhmja do të shkruhet pikërisht nga gratë”, përfundoi Osmani.















You must be logged in to post a comment Login