Një i mitur ka rënë në prangat e Policisë pas një tentativë për t’iu shmangur hetuesve të Antidrogës në Ferizaj. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në rrugën “Mulla Idriz Gjilani”, afër lumit Nerodime, ku hetuesit e DHTN-së, të angazhuar në operacionin “Stop Drogave në Shkolla”, kishin identifikuar një individ të dyshimtë.
Sipas burimeve, sapo ka vërejtur praninë e hetuesve, i dyshuari ka nisur të ikë duke u përpjekur të shmangë arrestimin. Arratisja e tij ka zgjatur vetëm disa minuta, pasi është kapur nga policia pas kalimit të lumit Nerodime.
Gjatë kontrollit në vendin ku qëndronte i mituri, hetuesit kanë zbuluar katër qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, të fshehura nga ai. Sipas matjeve të kryera, pesha totale e substancës së sekuestruar ishte 3.22 gramë.
Me urdhër të Prokurorit për të Mitur, i dyshuari është intervistuar, ndërsa rasti po procedohet për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”. Hetimet lidhur me këtë rast janë në vazhdim.















You must be logged in to post a comment Login