Avdullah Hoti ka akuzuar ashpër Qeverinë e Albin Kurti për, siç tha ai, dëmtimin e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe përçarjen e faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Kandidati i Lidhja Demokratike e Kosovës tha se gjatë viteve të fundit ka munguar bashkëpunimi konkret mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke theksuar se nuk është mbajtur asnjë mbledhje e përbashkët mes dy qeverive prej më shumë se tri vitesh.
Sipas Hotit, kjo ka ndikuar negativisht në integrimin ekonomik, arsimor, kulturor dhe energjetik mes dy vendeve.
“Integrimi kombëtar nuk ndërtohet me slogane patriotike dhe postime në rrjete sociale, por me projekte konkrete dhe rezultate të matshme”, u shpreh ai.
Hoti përmendi si dështime edhe mungesën e progresit në projektin e hekurudhës Prishtinë-Durrës, mungesën e bashkëpunimit në energji, bujqësi, turizëm dhe kulturë, si dhe ngecjen e projekteve të përbashkëta mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Ai kritikoi gjithashtu Kurtin për përfshirjen në proceset zgjedhore në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, duke thënë se kjo qasje ka ndikuar në thellimin e ndarjeve mes shqiptarëve.
“Në vend të bashkëpunimit, Kurti ka zgjedhur të përfshihet në procese zgjedhore jashtë Kosovës. Kjo nuk i shërben unitetit kombëtar, por thellon ndarjet mes shqiptarëve”, deklaroi Hoti.
Deklaratat e tij kanë nxitur reagime në skenën politike, ndërsa raportet Kosovë–Shqipëri dhe roli i Kosovës në politikën rajonale vazhdojnë të mbeten tema të debatit publik.











You must be logged in to post a comment Login