Kosova ka shënuar rezultate të ngjashme me ato të vitit 2022 në fushat e shkencës dhe leximit, ndërsa në matematikë është vërejtur një rënie e lehtë. Të dhënat nga Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) 2025 tregojnë gjithashtu dallime të dukshme gjinore, me vajzat që kanë performuar më mirë se djemtë në të tri fushat e vlerësuara.
Ministria e Arsimit ka njoftuar se në PISA 2025 morën pjesë 6,632 nxënës 15-vjeçarë nga 213 shkolla të Kosovës. Rezultatet e publikuara tregojnë se performanca e nxënëseve vazhdon të mbetet nën mesataren e vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD). Në shkencë, nxënësit e Kosovës kanë shënuar mesatarisht 357 pikë, rezultat i njëjtë me atë të vitit të kaluar. Ndërsa, në lexim, rezultati ka shkuar në 340 pikë, dy pikë më poshtë se vitin 2022, kur ishte 342 pikë.
Rënia më e dukshme është regjistruar në matematikë, ku nxënësit kanë arritur mesatarisht 350 pikë, pesë pikë më pak se në vitin 2022. Rezultati më i lartë në katër treguesit kryesorë të performancës është shënuar në fushën e zgjidhjeve kompjuterike, me gjithsej 359 pikë.
Një nga gjetjet e spikatur të PISA 2025 është performanca më e lartë e vajzave në krahasim me djemtë. Në shkencë, vajzat kanë arritur 366 pikë, ndërsa djemtë 347 pikë, me një diferencë prej 19 pikësh. Dallimi është edhe më i madh në lexim, ku vajzat kanë shënuar 358 pikë dhe djemtë 322 pikë, duke krijuar një diferencë prej 36 pikësh. Në matematikë, rezultatet janë pothuajse të barabarta: 351 pikë për vajzat dhe 350 pikë për djemtë.
Të dhënat tregojnë se një nga sfidat kryesore mbetet rritja e numrit të nxënësve që arrijnë të paktën Nivelin 2 të aftësive, i konsideruar si niveli bazë i performancës. Në vitin 2025, vetëm rreth 21 përqind e nxënësve në Kosovë kanë arritur këtë nivel në shkencë, rreth 15 përqind në matematikë dhe rreth 16 përqind në lexim.
Numri i nxënësve që arrijnë nivelet më të larta të performancës mbetet shumë i ulët. Analizat preliminare të rezultateve sugjerojnë se është e nevojshme një qasje e dyfishtë, duke ofruar mbështetje më të madhe për nxënësit me rezultate të ulëta dhe programe të veçanta për identifikimin dhe zhvillimin e potencialit të nxënësve me performancë të lartë.
Një tjetër çështje e rëndësishme që del në pah nga këto rezultate është vijueshmëria në shkollë. Rreth 54 përqind e nxënësve kanë raportuar se kanë munguar të paktën një ditë gjatë dy javëve para testit, ndërsa 56 përqind kanë deklaruar se kanë munguar të paktën në një orë mësimore.
Këto rezultate theksojnë nevojën për mekanizma më të mirë të monitorimit të vijueshmërisë dhe një bashkëpunim më të strukturuar ndërmjet shkollave, prindërve dhe nxënësve. Bazuar në gjetjet e PISA 2025, raporti rekomandon forcimin e të nxënit bazë në matematikë, shkencë dhe lexim, me fokus të veçantë te nxënësit që nuk arrijnë Nivelin 2 të aftësive.
Po ashtu, janë bërë disa rekomandime për të përmirësuar situatën, përfshirë zhvillimin e mësimdhënies përmes zgjidhjes së problemeve dhe situatave reale, forcimin e mendimit kritik, krijimin e programeve për nxënësit me performancë të lartë dhe përdorimin efektiv të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në procesin mësimor.
Be the first to comment