Policia shqiptare ka arrestuar Jozefin Markun, i njohur si “Jozi”, i dyshuar për përfshirje në dhunimin e 26-vjeçarit nga Kosova, Eduard Kuçi, i njohur si Edi.
Sipas burimeve të Indeksonline, mes të arrestuarve është edhe boksieri Klajdi Tema. Ngjarja ka ndodhur pranë mbikalimit të Rinasit dhe është filmuar, duke u bërë publike përmes një videoje në rrjetet sociale.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë njofton se Jozef Marku, 30 vjeç, ka rënë në pranga për disa vepra penale, përfshirë “Heqjen e paligjshme të lirisë”, “Plagosjen e lehtë me dashje”, “Kanosjen”, “Mbajtjen pa të drejtë të uniformës” dhe “Ndërhyrjen e padrejtë në jetën private”.
Nga ana tjetër, Klajdi N., 31 vjeç, dyshohet si drejtues i automjetit “Land Rover” dhe është ndaluar për disa vepra penale, përfshirë mbështetje ndaj autorit të krimit, mbajtjen pa leje të municionit, heqjen e paligjshme të lirisë, plagosjen dhe kanosjen.
Gjatë kontrollit në banesën e Klajdi N. janë sekuestruar municion dhe automjeti “Land Rover”, i cili dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes.
Policia ka bërë të ditur se dy personat, në bashkëpunim me individë të tjerë ende të paidentifikuar, kanë dhunuar Eduard Kuçin, me pretendimin se ai kishte fyer një prej tyre.
Po ashtu, dy persona të tjerë, A. H., 48 vjeç, dhe K. V., 27 vjeç, janë shpallur në kërkim.
Policia vazhdon hetimet për kapjen e këtyre personave dhe identifikimin e të gjithëve të përfshirë në ngjarje. Materialet janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Be the first to comment