Prokuroria Themelore në Pejë ka hapur një rast penal ndaj shtetasit shqiptar, Joz Marku, pas një sulmi fizik ndaj shtetasit të Kosovës, Edi Kuçi.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, për Klan Kosovën. Sipas Prokurorisë, rasti është regjistruar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”. Prokurori kujdestar ka vepruar me vetiniciativë për këtë çështje.
Prokurori i Shtetit ka dhënë autorizimin për Policinë e Kosovës që të fillojë procedurat kundër Markut. Ai ka kërkuar gjithashtu që Joz Marku të vendoset në stop-listë dhe të merren veprime ligjore ndaj tij.
Sulmi fizik ndaj Edi Kuçit është dokumentuar nëpërmjet disa pamjeve, të cilat janë siguruar nga Klan Kosova. Në këto pamje, Joz Marku, së bashku me disa persona të tjerë, shihet duke e rrethuar dhe goditur Kuçin gjatë një përleshjeje.
Prokuroria ka theksuar se veprimet janë ndërmarrë në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Kosovës. Ky kod lejon ndjekjen e shtetasve të huaj për vepra penale të kryera jashtë territorit të Kosovës ndaj qytetarëve të saj.



















You must be logged in to post a comment Login