Tre persona janë arrestuar të martën në Prizren si rezultat i një operacioni policor që synonte vënien para drejtësisë të rasteve të fajdesë. Lajmin e konfirmoi kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu.
Sipas një njoftimi nga Policia e Kosovës, operacioni u realizua nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda. Gjatë këtij operacioni, policia publikoi pamje nga arrestimet e tre të dyshuarve: B. S., F. S. dhe A. D., të cilët akuzohen për veprën penale të fajdesë.
Njëri nga të dyshuarit, B. S., dyshohet gjithashtu për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe “aksident trafiku me lëndime”. Ai, gjatë tentativës për t’u shmangur arrestimit, goditi me automjet një zyrtar policor dhe një qytetare, si pasojë e të cilës ata pësuan lëndime.
Sipas policisë, të dyshuarit kanë ushtruar presion ndaj viktimës me qëllim marrjen e interesit nga veprimtaritë e fajdesë. Kjo ka detyruar viktimën të veprojë në dëm të pasurisë së tij, duke rezultuar në dëme të konsiderueshme materiale.
Gjatë operacionit policor, janë kontrolluar tre lokacione të ndryshme në komunën e Prizrenit, ku u sekuestruan prova materiale që do të shërbejnë në procedurat penale. Pas intervistimit, ndaj tre të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, sipas aktvendimit të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prizren.



















You must be logged in to post a comment Login