Një 32-vjeçar nga Kukësi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Kosovës për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, është arrestuar në Rinas me qëllim ekstradimin.
Policia shqiptare njofton se shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bazë të informacioneve operative dhe shkëmbimit të të dhënave me Interpol Tiranën, kanë lokalizuar dhe ndaluar shtetasin A. Sh., 32 vjeç, banues në Kukës.
Sipas autoriteteve, gjatë ndalimit, 32-vjeçari është prezantuar me një identitet tjetër, dyshohet se me qëllim për të shmangur identifikimin dhe arrestimin.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata Themelore e Prishtinës kishte lëshuar një urdhër-arrest ndaj tij, nën dyshimin për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve.”
Pas arrestimit, Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet kosovare, do të vazhdojë procedurat për ekstradimin e 32-vjeçarit drejt Kosovës, ku do të përballet me sistemin e drejtësisë.



















You must be logged in to post a comment Login