Kryetarët dhe përfaqësuesit e komunave të Kosovës organizojnë një protestë më 1 shtator në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) thekson se problemet financiare, moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe ndërhyrjet në kompetencat komunale kanë çuar në shterimin e dialogut mes komunave dhe nivelit qendror.
Sazan Ibrahimi, drejtori ekzekutiv i AKK-së, shprehet se ky vendim për protestë është marrë pasi, sipas tij, të gjitha rrugët e dialogut janë shteruar. Ai thekson se kërkesat e komunave janë injoruar për një kohë të gjatë, duke mos pasur as një bashkëpunim të sinqertë me nivelin qendror.
“Pothuajse disa vite kërkesat e komunave janë injoruar, dhe nuk ka pasur asnjë impakt nga takimet tona me nivelin qendror,” shprehet Ibrahimi, duke sqaruar se protestat synojnë të adresojnë problemet që i kanë preokupuar komunat e Kosovës.
Një nga kërkesat kryesore të komunave është lidhur me mjetet financiare për kontratat kolektive. Ibrahimi thekson se komunave iu janë marrë padrejtësisht qindra miliona euro.
Ai gjithashtu thekson se niveli qendror nuk ka zbatuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për kompensimin e përvojës së punës, duke u penguar nga mosveprimi që nga marsi i vitit 2023. Protesta gjithashtu do të adresojë çështjet e kompensimit për dëmet nga përmbytjet dhe rishikimin e grantit për arsim, që për këtë vit përfshin shpenzime për më shumë se 3,000 mësimdhënës.
Pjesë e rëndësishme e protestës do të jetë dhe kundërshtimi i centralizimit të kompetencave, siç është ndalja e Inspektoratit të Tregut dhe problemi i pronave publike. Ibrahimi thekson se komunat kanë kërkuar themelimin e një granti të katërt për investime kapitale, që nuk është mbështetur nga niveli qendror.
Motoja e protestës do të jetë “Mos u merrni komunave atë që u takon qytetarëve!”.
Në lidhje me deklaratën e ministrit të Financave, Hekuran Murati, për buxhetin e vitit të ardhshëm, Ibrahimi shprehet se ndarja e tij përcaktohet nga legjislacioni dhe formula të caktuara.



















You must be logged in to post a comment Login