Gjykata Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, ka shpallur fajtor M.D. për tri vepra penale: “Dhuna në familje”, “Mospërfillja e gjykatës” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”. Ai është dënuar me një vit e tre muaj burgim, si dhe me një gjobë prej 500 eurosh.
Ky vendim është marrë pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor nga gjyqtarja Blerina Kurtaj. Gjyqi ka vendosur që koha e kaluar në paraburgim, që daton nga 17 shkurti 2026, të llogaritet si pjesë e dënimit të tij.
Sipas aktakuzës, M.D. ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij, R.D., në shtëpinë e tyre në fshatin Novosellë e Epërme të Gjakovës. Ai ka shkelur një urdhër mbrojtjeje, gjatë një mosmarrëveshjeje lidhur me ushqimet, ku e ka ofenduar dhe shqetësuar emocionalisht nënën e tij. M.D. ka hedhur dhe shkelur me këmbë gjërat ushqimore dhe ka tentuar ta godasë. E dëmtuara, nga frika, është mbyllur në dhomë dhe ka njoftuar policinë.
Pavarësisht urdhrit të mbrojtjes, ai vazhdoi me veprime të dhunshme, duke i shkaktuar shqetësim emocional të madh. Rasti kulmoi më 17 shkurt 2026, në mesditë, kur pas një konflikti tjetër, ai e sulmoi nënën e tij me shuplaka dhe e shtyu, duke e bërë atë të bjerë mbi tavolinë dhe të lëndonte dorën e majtë.
Gjykata gjithashtu konstatoi se kur e dëmtuara kërkoi ndihmë për t’u ngritur, për shkak të moshës dhe problemeve me gjunjë, M.D. e goditi me shkelm në trup. Ai më pas mori një hekur për ndezjen e prushit dhe e kanosi me fjalët: “Të ka ardhur momenti i fundit”.
Si pasojë e sulmit, e dëmtuara ka pësuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.
Palët kanë të drejtë të ankohen kundër këtij aktgjykimi brenda 30 ditëve nga dita e pranimit të tij në formë të shkruar.



















You must be logged in to post a comment Login