Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi Ramaj, ka bërë thirrje nga foltorja e Kuvendit që deputeti Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje të konstituojnë Kuvendin. Ajo theksoi se institucionet janë marrë peng dhe se është e domosdoshme që shteti të funksionojë.
“Nuk kërkojmë privilegje. Po kërkojmë diçka elementare: të funksionojë shteti. Prandaj, Kurti, thirre seancën dhe konstituoje Kuvendin. Respekto Kushtetutën dhe lej individët të kryejnë punën e tyre. Kosova nuk është pronë e një lideri; ajo u përket qytetarëve të saj. Askush nuk ka të drejtë ta mbajë peng të ardhmen e saj,” tha Kabashi Ramaj.
Ajo nënvizoi se të gjithë deputetët janë të zgjedhur nga qytetarët për të adresuar problemet e tyre, dhe jo për t’u bërë peng i krizës që, sipas saj, është shkaktuar nga Albin Kurti.
“Fitoret zgjedhore nuk i japin askujt të drejtën të vendosë veten mbi Kushtetutën. Asnjë lider nuk është mbi shtetin, e asnjë parti mbi Kosovën. Aktet e deritanishme janë simptoma të një krize shtetërore, ku partia që ka marrë përgjegjësinë për formimin e institucioneve po e mban shtetin peng. Pasojat e kësaj krize ndihen nga ata që presin trajtim në spitale, si dhe nga policët, ushtarët dhe zjarrfikësit, të cilët vazhdojnë të punojnë në kushte të vështira,” vazhdoi ajo.
Kabashi Ramaj shprehu bindjen se Kurti po tenton të simulojë normalitetin, por në fakt po dërgon rendin shtetëror drejt autokracisë.
“Rreziku që i kanoset Kosovës dhe demokracisë është i madh. Demokracia nuk zhduket brenda një nate, por fillon të dobësohet kur liderët shkelin kufijtë e vendosur nga Kushtetuta. Kur Kuvendi nuk funksion, pushteti përqendrohet dhe institucionet që duhet ta kontrollojnë dobësohen. Këto janë shenja paralajmëruese të rrëshqitjes drejt autokracisë,” përfundoi ajo.



















You must be logged in to post a comment Login