Aktoreja Hayden Panettiere ka ndërruar jetë në moshën 36-vjeçare, siç ka konfirmuar përfaqësuesi i saj për mediat ndërkombëtare.
Lajmin e trishtueshëm e ka konfirmuar edhe babai i saj, Skip Panettiere, i cili ka shpërndarë një deklaratë prekëse: “Me hidhërim të thellë ndajmë lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të Hayden tonë të dashur. Ajo ishte një dritë e jashtëzakonshme dhe një forcë natyre që solli dashuri dhe gëzim për të gjithë ata që e njohën, si dhe për miliona njerëz që e ndoqën në ekran.” Rrethanat e vdekjes së saj mbeten ende të panjohura.
Hayden Panettiere u bë e njohur për publikun me rolin e saj si Claire Bennet, një marsoni me aftësi vetë-shëruese, në serialin popullor “Heroes”. Ajo gjithashtu interpretoi këngëtaren e muzikës ‘country’, Juliette Barnes, në serialin “Nashville”. Pjesë e karrierës së saj përfshijnë edhe role të tjera të rëndësishme në filmat si “Scream 4” dhe “Scream VI” si dhe “Remember the Titans” dhe “I Love You Beth Cooper”.
Një arritje e veçantë e saj ishte nominimi për çmimin “Grammy” si një nga personat më të rinj për zërin e Princess Dot në filmin e animuar “A Bug’s Life” (1998).
Për gjatë viteve, ajo ka folur shumë hapur për betejat e saj me varësinë, depresionin pas lindjes dhe abuzimin shtëpiak. Këtë vit, Panettiere publikoi librin e saj me kujtime, “This Is Me: A Reckoning”, ku ndan rrugëtimin e saj nga fëmijëria në ekran dhe përpjekjet për rimëkëmbje personale.
Hayden lë pas një vajzë 11-vjeçare, Kaya, të cilën e ka nga marrëdhënia me ish-boksierin ukrainas, Wladimir Klitschko. Në vitin 2018, për shkak të sfidave me substancat, ajo mori vendimin e vështirë për t’i kaluar kujdestarinë e vajzës Klitschko-s, duke e cilësuar atë si “gjënë më të vështirë, por më të mirë për sigurinë e vajzës”.
Gjithashtu, ajo përjetoi goditjen e rëndë të humbjes së vëllait të saj të vogël, Jansen Panettiere, i cili ndërroi jetë në vitin 2023 në moshën 28-vjeçare.
Përveç aktrimit, Panettiere ishte edhe aktiviste e shquar për shëndetin mendor, të drejtat e kafshëve dhe mbrojtjen e mjedisit. Në vitin 2011, Uashington D.C. shpalli 16 shtatorin si “Dita e Hayden Panettiere” për kontributin e saj në avokimin për të drejtat e votës.
Be the first to comment