Akademiku Arsim Bajrami shprehu besimin se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të shpallen të pafajshëm nga Dhomat e Specializuara nëse procesi gjyqësor mbështetet mbi parimet e drejtësisë.
Gjatë një interviste në “Info Magazine” në Klan Kosova, Bajrami e përmendi datën 16 shtator si një moment historik. Ky është parashikuar të përmbyllë një proces gjyqësor maratonik që, sipas tij, është shoqëruar me shkelje të shumta procedurale dhe materiale.
“16 shtatori është një moment historik që do të sjellë efekte shumëdimensionale,” deklaroi Bajrami. Ai theksoi se përfundimi i këtij gjykimi, i cili ka zgjatur gjashtë vjet, është shoqëruar me shkelje të kushtetutës, ligjeve dhe standardeve ndërkombëtare. Procesi, sipas tij, është ndikuar nga një konspiracion politik të nxitur nga Rusia dhe Serbia përmes raportit të Dick Martit, dhe ka rezultuar në një aktakuzë të pavlefshme për një ndërmarrje kriminale.
Bajrami gjithashtu e ndoqi nga afër procesin gjyqësor dhe vlerësoi se, bazuar në provat e paraqitura, ish-krerët e UÇK-së duhet të lirohen plotësisht. Ai e cilësoi këtë proces si një rast me pasoja të rëndësishme për Kosovën, duke theksuar se gjykimi nuk përfshin vetëm përgjegjësinë e katër të akuzuarve, por gjithashtu mënyrën si trajtohet historia e luftës së UÇK-së.
Një vendim për pafajësi do të ishte në interes të Kosovës dhe do t’i ofronte Gjykatës Speciale mundësinë që të justifikojë ekzistencën e saj. Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është një nga rastet më të rëndësishme gjyqësore për vendin, dhe vendimi i shkallës së parë pritet të ketë një ndikim të konsiderueshëm në debatin politik e shoqëror në Kosovë.



















You must be logged in to post a comment Login